Kastrati që s’di frëngjisht gjen partnere franceze për dyqanet “Duty Free”, Rama ia “përkthen” (VIDEO)

Kastrati Grup ka nënshkruar dje, në ambientet e aeroportit “Nënë Tereza” në Tiranë një marrëveshje me konglomeratin francez Lagardère.

Thelbi i marrëveshjes është bashkimi për zgjerim të mëtejshëm të aktivitetit të dyqaneve duty-free, në të gjithë Shqipërinë. Pra, në të gjitha pikat kufitare dhe qendrat kryesore turistike në Shqipëri. Kontrata u nënshkrua nga presidenti i grupit Kastrati, Shefqet Kastrati dhe Znj. Catherine Guyomard, Kryetare e Komitetit Ekzekutiv të Lagardère Travel Retail.

Në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes ishin të pranishëm Presidenti i Republikës së Francës, Emanuel Macron dhe kryeministri i Shqipërisë,  Edi Rama.

Grupi Kastrati, i njohur kryesisht për tregtimin me shumicë dhe pakicë të hidrokarbureve, zhvillon një aktivitet të rëndësishëm në fusha si: sigurime, ndërtim, infrastrukturë, turizëm, industri automjetesh etj. Oligarku ka nën zotërim Aeroportin e Rinasit, Portin e ri të Durrësit, Portin e Sarandës, flitet se qëndron edhe prapa pronësisë së Koncesionit të Aeroportit të Kuëksit.

Lagardere është një grup ndërkombëtar, me qendër në Francë, i cili operon në fushën e botimeve dhe shpërndarjes së tyre, atë të dyqaneve duty- free me mbi 270 dyqane në Francë, Mbretërinë e Bashkuar, Irelandë, Spanjë, Holandë, Amerikën e Veriut etj. Gama e aktiviteteve të grupit përfshin edhe prezencën në media të rëndësishme franceze si: Paris Match, Le Journal du Dimanche, Europe 1, Europe 2, RFM etc.

Pra marrëveshja nuk ka vetëm rëndësi që Kastrati të bëjë biznes (potencialisht i dyshuar kontrabandë) por do të ndihmojë edhe Ramën me mbështetje mediatike dhe politike në Francë.

Kliko link të shikosh video: https://fb.watch/nNhNbd7GMJ/

“Turizëm” apo kontrabandë?

Dyqanet “Duty Free” janë zona ku mallrat tregtohen pa taksa doganore, praktikisht më lirë sesa çmimet që ato kanë në vendet përkatëse.

Sipas njoftimit, ky bashkëpunim vjen në kuadër të rritjes së jashtëzakonshme të numrit të turistëve që vizitojnë vendin tonë.

Por në emër të turizmit “Duty Free Shops” kanë lulëzuar si qendra të kontrabandës në vende të tjera të rajonit e botës.

Në kufirin me Bosnje Hercegovinës dhe Malit të Zi, “Duty Free Shops” ishin thyer në “burimin më të madh të cigareve kontrabandë që hynin në Bosnje”, thuhet në një investigim të Projektit për Raportimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (OCCRP).

“Kur qeveria e Malit të Zi nën Milo Gjukanoviç vendosi të rihapte Duty Free Shops në vitin 2005, ato duhej të ndihmonin “turizmin”. Ajo që ata ndihmuan shpejt ishte kontrabanda e cigareve, thotë policia e BiH”, nënvizohet në shkrim.