Borxhet e arbitrazhit  “kapin”  nga fyti qeverinë (Dokumenti)

Qeveria ka dalë zbuluar në një raport të radhës të publikuar nga  Kontrolli i Lartë i Shtetit për faturat sa i takon pushteti ekzekutiv nga ku rezulton se  nuk ka paguar nga vendimet e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe Arbitrazhit. Në një raport të fundit auditi të kryer në ministrinë e Financave, KLSH thotë se janë mbi 21 milionë Euro detyrime që nuk janë paguar nga qeveria për fituesit e gjyqeve. Një pjesë qeveria nuk i ka nisur duke kërkuar pagesat me këste, por kjo nuk është parashikuar në ligj.

Nga auditimi rezulton se detyrimet faktike dhe kontigjente për vendimet e GJEDNJ paraqiten në vlerën gjithsej 21,717,665 milion Euro, për 7 vendime. Konstatohet se 3 vendime, konkretisht: D… kundër Shqipërisë, R…. dhe të tjerë kundër Shqipërisë, Sh…. kundër Shqipërisë që i përkasin viteve 2015, 2016 dhe 2018, rezultojnë ende të palikuiduara, në kundërshtim me nenin 19/4 të ligjit nr. 10018, datë 13.11.2008 “Për Avokaturën e Shtetit”, i ndryshuar.

Në pjesën e vendimeve të Arbitrazhit, KLSH ka gjetur mos përputhje për pagesat e kryera. “Nga auditimi mbi Vendimet e Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit rezulton se në raportin “Mbi zbatimin e buxhetit vjetor, situatës makroekonomike dhe fiskale gjatë vitit 2022” vlera totale e kostove të vendimeve të arbitrazhit të paguara nga buxheti i shtetit raportohet në shumë 940.25 milion lekë. Ndërkohë nga mbledhja e pagesave analitike të raportuara po në këtë raport rezulton se kjo vlerë është 1,004 milionë lekë, duke reflektuar mospërputhje raportimesh brenda këtij raporti.

Gjithashtu konstatohet se vlera e raportuar e kostove të arbitrazhit të paguara nga aparati i MFE në raportin e mësipërm është rreth 193 milion lekë. Ndërsa sipas të dhënave të sistemit ORACLE këto pagesa rezultojnë në vlerën 291 milion lekë, ose 98 milion lekë më tepër” vijon më tej raporti.

Kontrolli i Lartë i Shtetit i kujton qeverisë rrezikun. “Detyrimet e GJEDNJ-së dhe Arbitrazhit, si dhe mosekzekutimi i tyre në kohë, paraqesin një risk fiskal, jo vetëm për treguesit buxhetor të institucioneve përgjegjëse por edhe në nivel makroekonomik për financat publike, pasi pavarësisht se këto detyrime nuk llogariten dhe nuk regjistrohen në treguesit e borxhit publik, e implikojnë dhe e nënvlerësojnë këtë të fundit, pasi janë detyrime që do të shlyhen në të ardhmen” mbyllet raporti.

Gjobat e ndërkombëtarve/ Qeveria ndryshon ligjin “Për arbitrazhin”, zv/ministri i Drejtësisë: Ndikon te investitorët e huaj por heshtet për përgjegësit

Komisioni për Ekonominë dhe Financat ka miratuar muaj më parë projektligjin për arbitrazhin në Shqipëri. Ky projektligj synon të përmirësojë procedurat e gjykimit dhe rritjen e efikasitetit në trajtimin e konflikteve duke ofruar zgjidhje më të shpejtë të problemeve të krijuara. Gjatë mbledhjes së sotme zëvendësministri i Drejtësisë, Klajd Karameta tha se përcaktimi i rregullave kombëtare për zhvillimin e arbitrazhit është vlerësuar si një nga prioritet e qeverisë. Karameto vuri në dukje se arsyet se përse palët mund të zgjedhin arbitrazhin janë nga më të ndryshmet, ndër të cilat, arbitrazhi i jep mundësi palëve që të zgjedhin persona me njohuri të specializuara për të gjykuar mosmarrëveshjet e tyre.

“Kjo nismë për miratimin e një ligji të ri që rregullon arbitrazhin në Shqipëri, vlerësohet pozitive dhe çmohet të sjellë impakt pozitiv për grupet e interesit, veçanërisht investitorët e huaj në vend. Përfitimet e drejtpërdrejta që kanë grupet e interesit lidhen me neutralitetin e arbitrazhit që u mundëson palëve të zgjidhin përmes arbitrazhit mosmarrëveshjet e karakterit tregtar ndërkombëtar, edhe pse vijnë nga vende të ndryshme në bazë të autonomisë së vullnetit të tyre”, -tha ai. Ndërmarrja e nismës për hartimin e projektligjit “Për arbitrazhin në Republikën e Shqipërisë” u jep mundësi palëve që për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve që kanë lindur ose që mund të lindin në të ardhmen të mos i drejtohen vetëm gjykatës, si mënyra e vetme për zgjidhjen e tyre, por të kenë mundësi për të pasur dhe metoda të tjera alternative për zgjidhjen e konflikteve.