Manastirliu paracakton tenderin 9 mln euro për ECO RICIKLIM, Koçiu i “pret” duart (Anulohet tenderi)

Ministrja e re e Shëndetësisë, Albana Koçiu, ka firmosur anulimin e një tenderi të majmë për asgjësimin e mbetjeve spitalore. Në fakt, vendimi është një “shuplakë” e rëndë për ish-ministren Ogerta Manastirliu, e cila pasi e “ndriti” në shëndetësi ka shkuar në Ministrinë e Arsimit të edukojë fëmijët!

Një paradoks i madh, pasi nëpërmjet vendimmarrjeve ajo është kapur disa herë në shkelje. Nëse ish-sekretarja e përgjithshme e saj shkoi në burg për disa milionë lekë të vjetra, kjo ministre duket shumë larg zyrave të SPAK-ut, megjithëse është kapur me prova të qarta se ka dëshiruar që tenderin e majmë prej 9 milionë eurosh t’ia jepte një firme të caktuar.

Pas shfletimit të dhjetëra dokumente nga kjo procedurë, fijet të çojnë te Manastirliu. Ajo ka urdhëruar stafin që dokumentet e tenderit t’i bëntë në mënyrë që firma e saj e preferuar të dilte fituesi. Në këtë mënyrë eliminonte gjthë konkurencën dhe kishte dorë të lirë “negocimi” me pronarët e kësaj kompanie.

Njoftimi i Ministrisë së Shëndetësisë për anulimin e tenderit të asgjësimit të mbetjeve spitalore

Dokumenti i mësipërm është anulimi i procedurës. Ai është firmosur nga ministrja e re Albana Koçiu, e cila lajmëroi disa ditë më parë Agjencinë e Prokurimit Publik. Bëhet fjalë për marrëveshjen kuadër “shërbimi i trajtimit dhe asgjesimit të mbetjeve spitalore, për mbulimin e nevojave spitalore për një periudhë 36 mujore”.

Pra, për plot 3 vite edhe kur ministrja Manastirliu të largohej nga posti. Fondi limit i kësaj procedure është plot 785.788.138 lekë pa TVSH. Me TVSH, shuma shkon në rreth 9 milionë euro. Një shumë e konsiderueshme.

Në njoftim, ministria e Shëndetësisë shkruan se arsyet janë për shkak se ka një vendim të Komisionit të Prokurimit Publik. “Në zbatim të vendimit nr. 1189/2023 datë 17.11.2023 të Komisionit të Prokurimit Publik” thuhet në këtë dokument. Një njoftim i thatë se përse u anulua kjo procedurë, teksa lajmërimi në APP ka shkuar në datën 30 nëntor 2023.

KPP shkruan se fituesi i tenderit të asgjësimit të mbetjeve spitalore ka qenë i paracaktuar

Komisionit të Prokurimit Publik shkruan mjaft qartë se dokumentet e këtij tenderi ishin bërë që fituesi të shpallej një kompani, duke përjashtuar gjithë të tjerat. Pra, fituesi ka qenë i paracaktuar.

Së pari, nëpërmjet paracaktimit të fituesit e konkretisht të shoqërisë se lartpermendur, është shkelur parimi i rritjes së efikasitetit dhe eficensën në procedurat e prokurimit pubik. Në këtë rast këto parime kanë shkuar ndesh me ligjin, thënë ndryshe efikasiteti dhe eficensa janë përdorur për të ulur konkurencën dhe lehtësimin e procecudrës për shpalljes fitues të subjektit ECO RICIKLIM” shkruhet në këtë vendim të KPP-së, që ka të bëjë me ankesën e disa operatorëve të tjerë.

Vetëm një operator ekonnomik do të jetë në treg i cili do të paracaktojë dhe çmimet pas përfundimit të kësaj kontrate, me zhdukjen e konkurencës, zhvillimi dhe përcaktimi i çmimeve do të varet tërësisht nga vullneti i këtij subjekti. Nuk mund të kemi një mirësigurim të fondeve publike kur shkohet drejt një produkti i cili zotërohet vetëm nga një operator ekonomik. Autoretit kontraktor jo vetëm nuk po nxit pjesmarrjen e operatorëve ekonomik, por përkundrazi po e kufizon atë vetëm drejt një subjekti të vetëm, e konkretisht shoqërisë se paracaktuar prej tyre” shkruhet në këtë vendim. Që hedhin dritë mbi prapaskenat e ketij tenderi.

Por, pas ankesës, KPP shqyrtoi faktet dhe shkruan se “autoriteti kontraktor ka vlerësuar se vendosja e kapacitetit të mjeteve dhe pajisjeve është vënë në përputhje me volumin e kontratës, ndërkohë po autoriteti kontraktor përmes vendimarrjes së Komisionit të Shqyrtimti të Ankesave pranon se ky kapacitet duhet të ndryshojë më qëllim rritjen e konkurrencës në frymën e ligjit të prokurimit publik, duke mos qenë në thelbi qartë mbi mënyrën e ndryshimit, kapacitetet përpunuese të mjeteve dhe paisjeve” thuhet në vendim.

Më tej KPP shkruan se veprimet e ministrisë dhe konkretisht të anëtarëve të Komisionit të Shqyrtimit të Ankesave janë bërë në kundërshtim me parimet dhe rregullat e prokurimit publik, duke cënuar parimin e barazisë dhe parimin e transparencës.

Me veprimet e tyre anëtarët Komisionit të Shqyrtimit të Ankesave e kanë penguar të drejtën e operatorëve ekonomik ankimues për të paraqitur argumenta shtesë lidhur me vendimmarrjen e Komisionit të Shqyrtimit të Ankesave” thuhet në këtë vendim.

Vendimi në fakt është një indicie e fortë për organet ligjzbatuese, SPAK-un apo edhe prokuroritë e rretheve që të hetojnë këtë aferë të madhe. Me dokumente u faktua se 9 milionë eurot ishin destinuar të shkonin te një firmë e qepur duke skualifikuar konkurencë që në shpallje të tenderit./ t.fakt.com