Hetimet për kompleksin Partizani/ GJKKO cakton detyrim paraqitje për Sali Berishën

LIVE

Minutë pas minute

keyboard_arrow_leftkeyboard_arrow_right

Hetimet për kompleksin Partizani/ GJKKO cakton detyrim paraqitje për Sali Berishën

TIRANË– Pas arrestimit të dhëndrit Jamarbër Malltezi, Gjykata e Posaçme ka caktuar masën e sigurisë “Detyrim paraqitje”  dhe “ndalim dalje jashtë shtetit” për Sali Berishën.

Ish-kryeministri Sali Berisha, akuzohet për Korrupsion pasiv, parashikuar në neni 260 i kodit penal. Gjykata po ashtu ka caktuar masë sigurie detyrim paraqitje edhe për një person tjetër, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur.

Ish-kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla e ka paditur në vitin 2020, ish-kryeministrin Sali Berisha, ish-ministrin të Mbrojtjes Arben Imami, anëtarë të tjerë të qeverisë së drejtuar nga Berisha, Jamarbër Malltezi dhëndrin e Berishës, i cili është përfitues direkt i kësaj prone si dhe drejtues të shtabit të ushtrisë shqiptare bashkë me administratorët dhe aksionerët e dy kompanive ndërtuese në atë kompleks.

Dhëndri i ish-kryeministrit Berisha po hetohet për privatizimin të ish klubit sportiv “Partizani”. Konkretisht, bëhet fjalë për një pronë me rreth 10 000 m2, në qendër të Tiranës, e cila në vitin 2008 është privatizuar me një vlerë prej 100 000 dollarë.   Klubi sportiv “Partizani” ishte në pronësi të Ministrisë së Mbrojtjes, ndërsa sot mbi të  janë ngritur 17 kulla.

Bashkë me Jamarbër Malltezin dhëndrin e ish-kryeministrit Sali Berisha, ka rënë në pranga edhe Fatmir Bektashi, bashkëpronar me Jamarbër Malltezin për ndërtimin e ish kompleksit ‘Partizani’.

Hetimet ndaj tyre kanë kohë që kanë nisur dhe tashmë SPAK ka urdhëruar arrestimet e tyre.