Kryebashkiakët e rinj përballë 54 mln euro borxhe!Bashkitë e koalicionit sfidë për gjetjen e financimit, Kavaja në prag falimenti

Kryetarët e rinj të bashkive do të përballen me barrën e lartë të detyrimeve të prapambetura, të krijuar nga paraardhësit e tyre.

Sfidë nuk do të jetë vetëm shlyerja e borxheve të akumuluara por edhe rritja e të ardhurave, nga taksat dhe tarifat vendore, duke qenë se në këtë proces shumë bashki kanë ngecur.

Sipas raportit të Ministrisë së Financave për detyrimet e prapambetura, borxhet e bashkive ishin rreth 6 miliardë lekë në fund të vitit të kaluar, nga 6.6 miliardë lekë që ishte në vitin 2021.

Edhe pse trajektorja e borxhit publik ka ardhur në rënie, situata në 12 bashki të vendit nuk paraqitet aspak optimiste, pasi janë në vështirësi financiare, madje drejt falimentit nëse nuk merren masat e duhura nga kryebashkiakët e rinj. Në gjendje të vështirë janë bashkitë Vorë, Kavajë, Pustec, Rrogozhinë, Pogradec, Polican etj.

Bashkitë ‘injorojnë’ paralajmërimet e qeverisë

Gjatë vitit të kaluar në një mbledhje që zhvilloi qeveria me kryetarët e bashkive, i paralajmëroi ato se do ju merrte administrimin financiar të bashkive nëse nuk do të merrnin masa të shlyenin detyrimet e akomuluar dhe nëse nuk dilnin nga vështirësia financiare. Afati ishte që brenda korrikut 2022 të gjendej një zgjidhje, por më pas qeveria doli në konkluzionin se asnjë bashki nuk ishte në gradë të rëndë sa për ti marrë administrimin.

Kërkesa e kryeministrit dhe Ministrisë së Financave për të mirëmenaxhuar financat e tyre dhe për të ulur borxhet ka rënë në vesh të shurdhët për bashkinë Tiranë, Kavajë, Dropull, Pustec, Përmet, Libohovë, Shijak, Kurbin, Peqin, Devoll, Selenicë, Dimal, Kuçovë dhe Dibër të cilat kanë rritur borxhet.

Pushteti vendor vijon të ketë probleme serioze me investimet, për shkak se nuk paguajnë detyrimet në kohë, e për pasojë më shumë se 50% e borxheve e zënë detyrimet ndaj palëve të treta për projekte të investimeve publike rreth 2.9 miliardë lekë. Më pas janë borxhet për largimet e padrejta nga puna, që kanë përfunduar në gjyqe. Detyrimet që burojnë nga shërbimet e kryera nga palë të treta si dhe për vendime gjyqësore kapin 593 milionë lekë dhe 422 milionë lekë respektivisht.

Në krye të listës për vlerën më të madhe të detyrimeve është Bashkia e Tiranës, me 1.1 miliardë lekë, e ndjekur nga Bashkia Kavajë që ka 837 milionë lekë, më pas është Vora 412 milionë lekë apo 278 milionë lekë Bashkia Pogradec.

Bashkitë e “Bashkë Fitojmë” VS Rama

Koalicioni opozitar Bashkë Fitojmë i Ilir Metës dhe Sali Berishës arriti të fitonte në rang vendi vetëm 5 bashki, të cilat praktikisht janë edhe më të rrezikuara nga mungesa e fondeve pasi kryeministri Edi Rama ka thënë se asnjë bashki e dalë prej këtij koalicioni nuk do të ketë mbështetjen e qeverisë. Bashkia Kavajë, Memaliaj, Himarë, Mirditë dhe Fushë Arrëz janë nën drejtimin e opozitës për katër vitet e ardhshme, por që në fakt nuk janë në gjendje të mirë financiare pasi borxhet e tyre arrijnë në 952.4 milionë lekë.

Sfida më e madhe do të jetë për kryetarin e Bashkisë Kavajë Fisnik Qosja i koalicionit Bashkë Fitojmë që i shpall fitues në zgjedhje. Atij do t’i duhet të përballet i vetëm me bashkinë që e ka në kolaps pasi borxhet janë thuajse në të njëjtin nivel si të ardhurat. Situata e tij është edhe më vështirë pasi asnjë bashki e fituar prej këtij koalicioni nuk do të ketë mbështetjen e qeverisë.

Ndërsa katër kryebashkiakët e tjerë janë në kushte më të mira se Fisnik Qosja. Konkretisht bashkia Pukë ka 38.5 milionë lekë detyrime të papaguara, ndjekur nga bashkia Mirditë 31.6 milionë lekë, Bashkia Himarë 26.6 milionë lekë, më pas është Bashkia Memaliaj 13.4 milionë lekë dhe Bashkia Fushë Arrëz me 4.8 milionë lekë borxhe.

Krijimi i detyrimeve të prapambetura ishte një nga pasojat negative që la pas reforma territoriale që shkriu komunat. Tanimë ka bashki që për shkak të detyrimeve që kanë nuk janë në gjendje të hapin investime të reja.

21 bashki nuk realizojnë të ardhurat!

Përgjatë vitit 2022 sipas raportit ka pasur rritje të të ardhurave me 972 milionë lekë në raport me vitin 2021.

Konkretisht përgjatë vitit 2022 bashkitë kanë mbledhur në total 27.6 miliardë lekë nga 26.6 miliardë lekë që ishte situata në 2021. Edhe pse të ardhurat e bashkive janë rritur lehtë në vitin e kaluar, përsëri janë 21 njësi që kanë ngecur në procesin e mbledhjes së të ardhurave.

Sipas raportit situata paraqitet më serioze për mbledhjen e taksave dhe tarifave, proces në të cilin calon 50% e bashkive.

Bashkitë pa projekte që ndalojnë emigrimin

Në5 bashkitë e marra në monitorim Berat, Elbasan, Dibër, Gjirokastër dhe Vlorë eksperti Eduart Gjokutaj thotë se është identifikuar një vlerë e ulët produktiviteti në eksporte si dhe mungesë orjentimi drejt teknologjisë së re. Kjo tendencë e ekonomisë drejt agro-bujqësisë dhe akuakulturës nuk përputhet me objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm deri në vitin 2030.